Heronjtë Lokal – Marie Lleshi


Maria, infermierja e fshatit Pllanë në Lezhë, është personazhi i parë që ne duam të sjellim pranë jush nëpërmjet rubrikës mujore Heronjtë Lokal; rubrikë dedikuar atyre personave që me qëndrimet e tyre krijojnë shembuj për tu ndjekur dhe vlerësuar dhe njëkohësisht me punën që bëjnë kontribuojnë në komunitetin e tyre përtej rolit që kanë. Mjafton të shikojmë me vëmëndje dhe do ti gjejmë pranë nesh ata që mund të na frymëzojnë, heronjtë tanë. Maria është heroina jonë në Ditën Ndërkombëtare të #Gruas.

Maria lindi dhe u rrit në Pllanë të Lezhës. Pavarësisht se mbaroi klasën e 8 me nota shumë të mira, asaj nuk iu dha e drejta për të ndjekur shkollën e mesme sepse i ati kishte studiuar në shkollën katolike per tu berë prift. Ky ishte moment shumë i vështirë pasi ëndrra për të vazhduar shkollën ishte shumë e madhe. Filloi punën menjëherë në kooperativë, në moshën 14 vjeçare, por pas një viti, me kërkesa të vazhdueshme arriti të rregjistrohej në shkollën e natës, ku pas pune, 3 herë në javë ndiqte mësimet e shkollës së mesme. U diplomua përsëri me rezultate të larta dhe me shpresën se këtë herë do të mund të ndiqte studimet e larta për infermieri. Ëndrra e saj e fëmijërisë.
As këtë herë nuk iu dha e drejta e studimeve të larta. Zhgënjimi i saj i radhës, u pasua vite më vonë me shpresën se do të merrte bursë studimi. Në vitin 1988 u njoftua se një bursë ishte akorduar për të. Ishte këshilli i fshatit që merrte vendimin përfundimtar dhe sigurisht që vajza që ishte rritur në një familje katolike, ‘nuk mund të arsimohej’. Persekutimi i saj vazhdoi, por këtë herë refuzimin e bursës së studimit, e përjetoi më keq se asnjëherë tjetër. Iu desh shumë kohë dhe mbështetje nga rrethi i saj i ngushtë për ta kaluar mërzinë.

Në moshën 28 vjeçare, kur sapo kishte rënë regjimi komunist në Shqipëri, Maria bëri kërkesë menjëherë për të ndjekur studimet e larta për infermieri. Mes vështirësive të mëdha ekonomike në vitin 1993, në moshën 30 vjecare Maria finalizoi ëndrrën e saj. Plot 14 vite rrugëtim, këmbëngulje, shpresë dhe besim te vetja që duke luftuar gjërat mund të arrihen.

“Përveç fëmijëve të mi, dua shumë ti shikoj të rinjtë e fshatit dhe veçanërisht vajzat, të arsimohen dhe të bëhen të zonjat e vetes. Të studiojnë dhe të dinë së pari për veten dhe pastaj dhe për të tjerët. Është e rëndësishme të mësojnë përtej kornizimeve apo modeleve e njohurive që përcjell shkolla.”, shprehet ajo.

Të jesh një #grua në një mjedis plot barriera mund të jetë edhe #avantazh! Duke u rrëzuar dhe ri-ngritur, duke mos u dorëzuar kurrë ti mëson e rritesh më shumë se duke e pasur të lehtë. Pikërisht kjo u ka ndodhur shumë vajzave dhe grave Shqiptare që në çdo epokë të historisë, gjer sot, janë përballur me mure të larta vështirësish dhe ja kanë dalë! Le të jemi #mbështetje e #kurajo për njëra-tjetrën, siç Maria është në #komunitetin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

English
Albanian English