Qendra H.A.N.A prezantoi sot fillesat e zbatimit të projektit “Policimi në Komunitet si instrument për shoqërizimin e ligjit të ndryshuar ‘Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare’ ” në prezencën dhe bashkë-moderimin e partnerëve kryesorë të projektit, që janë njëkohësisht edhe institucionet publike me përgjegjësinë primare për zbatimin e Ligjit Nr. 47/2018 në nivel lokal. Kështu, Bashkia Lezhë, Drejtoria Rajonale e Policisë, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dhe Drejtoria Rajonale e Arsimit ri-shprehën gatishmërinë institucionale për të ndjekur bashkarisht progresin e projektit.
Ndërhyrja parashikon një sërë hapash të koordinuar ndër-institucionalë për të përcjellë risitë dhe domethënien e ligjit të rishikuar Nr. 47/2018 kombinuar me promovimin e modelit të Policimit në Komunitet tek përfituesit e projektit në Njesitë Administrative Balldre, Lezhë dhe Rrëshen, Mirditë.
Eventi shërbeu edhe si inkubator marrëdhëniesh të mira bashkëpunimi mes Shoqërisë Civile, falë ndërthurjes së agjendës së ditës me prezantimin e projektit të organizatës “Strehëza për Gra dhe Vajza – SAWG Tirana, në të njëjtin fokus programatik.
Projekti mundësohet nga programi “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri” (SCPA) me mbështetjen e Qeverisë Suedeze.