Raport Studimor

Dhuna me bazë gjinore është një fenomen i rrënjosur thellë në pabarazinë gjinore dhe vazhdon të jetë një nga shkeljet më të dukshme të të drejtave të njeriut brenda të gjitha shoqërive. Pavarësisht se gratë edhe burrat përjetojnë dhunë me bazë gjinore është pranuar gjerësisht se në masën më të madhe, dhuna me bazë gjinore u shkaktohet grave dhe vajzave, nga burrat. Sidoqoftë, përdorimi i aspektit “të bazuar në gjini” është i rëndësishëm pasi nënvizon faktin se shumë forma të dhunës ndaj grave janë të rrënjosura në pabarazitë e pushtetit midis grave dhe burrave.

Kjo ndasi në pushtet është akoma dhe më e theksuar në shoqërinë tonë patriarkale ku, gratë kanë qenë gjithmonë të nënshtruara dhe të kornizuara kryesisht në rolin e tyre riprodhues sesa atë prodhues dhe krijues në shoqëri. Vitet e fundit, krahas zhvillimit dhe fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave vihet re një rritje e ndjeshme e fenomenit të dhunës në familje, e cila ushtrohet më shumë mbi gratë dhe vajzat, fëmijët dhe të moshuarit. Ky është konkluzioni i raportit të qeverisë shqiptare në Këshillin e Evropës në Strasburg. Sipas Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje, rreth një e treta e grave dhe vajzave shqiptare përjetojnë një formë dhune brenda familjes.

Nxitur nga këto të dhëna, por edhe nga ngjarjet e fundit, ku përgjatë dy muajve, Janar-Shkurt 2020, 7 gra kanë humbur jetën për shkak të dhunës në familje, u zhvillua një studim për të matur perceptimet dhe qëndrimet e të rinjve për këtë fenomen.

Ky raport është punuar në kuadër të projektit “Policimi në Komunitet si instrument për Shoqërizimin e Ligjit të Rishikuar për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” zbatuar nga Qendra H.A.N.A, Lezhë dhe mbështetur nga Programi SCPA (Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri) përmes kontributit financiar të Ambasadës Suedeze në Shqipëri.

Gjeni në linkun e mëposhtëm raportin e plotë studimor.

https://www.dropbox.com/s/pvuy5sd0uhprrg6/Raport%20Studimor_HANA_Perceptimet%20e%20te%20rinjve%20per%20dhunen.pdf?dl=0

Mars, 2020

English
Albanian English