Takim Prezantimi, Rrëshen – “Policimi në Komunitet si instrument për Shoqërizimin e Ligjit të Rishikuar për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”.

Javën e shkuar hapëm siparin e bashkëpunimit me përfaqësuesit e strukturave të ndryshme publike dhe jo-publike në Rrëshen në kuadër të projektit të rradhës që H.A.N.A po zbaton në Qarkun e Lezhës: “Policimi në Komunitet si instrument për Shoqërizimin e Ligjit të Rishikuar për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”.

Miqtë nga Rrësheni na rezervuan një mikpritje të ngrohtë dhe dashamire, pa dyshim një ogur i mbarë për prezencën tone të ardhshme në këtë Njësi Administrative e më gjërë në të gjithë Bashkinë. 
Në panel për të diskutuar e ndarë me audiencën rreth temës na u bashkuan Znj. Marte Kola, Përgjegjëse e Sektorit të Ndihmës Ekonomike, Bashkia Mirditë; Znj. Marie Dodaj, Nënprefekte e Rrethit Mirditë dhe Z. Preng Paloka, Specialist Rendi Policia Rrethi Rrëshen.

Diskutime të shumta mbushën eventin tone, duke qënë një audience e përzgjedhur profesionistësh të fushave të ndryshme në kontakt me kategoritë që më së shumti janë pre e dhunës në familje. Ndamë dëshmi, ri-theksuam rëndësinë e të ndaluarit me çdo kusht të daljes së fëmijës e gruas (veçanërisht e sidomos) nga vëzhgimi e kujdesi i autoriteteve pas raportimit si dhe pranuam kolektivisht që i përkasim një shoqërie që në rrethana të caktuara e toleron dhe relativizon dhunën. Po ashtu, një faktor që nuk ndikon për mire është numri i pakët ose vënde-vënde i mangët i punonjësit social në Arsim gjë që ndër të tjera çon në një barrë të padrejtë mbi psikologun shkollor, përveç se mungon lidhja ideale shkollë-prind-institucione në rastet kur fëmija tregon shënja dhune në familje.

Një gjë është e sigurt, ndërhyrja e parashikuar përmes projektit në fjalë ka fituar disa aleatë të vullnetshëm e të vendosur për të bashkë-rënduar agjendat në kauzën e familjarizimit me bazën e rinovuar ligjore si dhe qasjen e një policie më afër komunitetit, jo ndëshkuese por bashkëpunuese!

Sërish mirënjohje për partnerët tanë në zbatim, Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, Qarku Lezhë. Ky projekti mbështetet nga Programi Suedez i Policimit në Komunitet, financuar nga Ambasada Suedeze në Shqipëri.

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *